‘Defender Europe 2025’, moment historik për ushtrinë e Kosovës
Janë bërë gati një javë që kur ka filluar ushtrimi më i madh ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, e cila është stërvitja më e madhe vjetore e Ushtrisë Amerikane. Në zemrën e Ballkanit, Kosova është shndërruar urë bashkëpunimi ushtarak.
Syla: Defender Europe me ndikim të jashtëzakonshëm
Shemsi Syla, zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, tha për RTK, se pjesëmarrja e Kosovës si nikoqire e ‘Defender Europe 2025’ është një ngjarje më e rëndësishme gjatë rrugëtimit të forcës sonë ushtarake, nga UÇK në TMK në FSK, në ushtrinë e sotshme.
Ai tha se SHBA po zhvillojnë ushtrimin më të madh deri më sot në Evropë, i cili ka kapacitete të shumta të shteteve partnere edhe të NATO-s dhe jashtë saj të ngërthyera në një ngjarje tejet të rëndësishme.
“Fati ynë është se ne jemi pjesëmarrës dhe njëkohësisht nikoqir që do të thotë shumë, sepse është një besim që ne të jemi vend nikoqir, ku Shtabi i Divizionit 28 është i dislokuar në Kosovë”, tha Syla.
Ai theksoi se ky ushtrim ka një ndikim tëi jashtëzakonshëm edhe në ngritjen tonë morale dhe besueshmërinë që ka SHBA ndaj ushtrisë sonë dhe Kosovës.
Syla më tej shtoi se kjo do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes sonë dhe të inkurajimit në ngritjen e kapaciteteve tona ushtarake.
Ai më tej vuri në dukej se më 2028 do të përfundojë marrëveshja e cila në fokus ka krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Kastrati: “Defender Europe 2025”, mesazh i qartë, për Serbinë dhe Rusinë
Kadri Kastrati, njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, ish-komandanti i FSK-së, tha se “Defender Europe 2025”, është një ngjarje e jashtë zakonshme dhe është mesazh i qartë, për Serbinë dhe Rusinë.
“Serbia çdo herë bën përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe veriun e Kosovës. Ky ushtrim është besimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Deri këtu kemi ardhur me partnerët tanë, nuk shoh ndonjë problem në këtë ushtrim dhe forca jonë të bashkëveprojë në këtë ushtrim”, theksoi Kastrati në emisionin special në RTK. Po ashtu sipas tij, Kosova do të jetë fituese,
Lilo: ‘Defender Europe 2025’ demonstron angazhimin për mbrojtjen kolektive
Ardian Lilo, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, tha se të jesh pjesëmarrës dhe nikoqir i “Defender Europe 2025”, është aktiviteti më i madh që zhvillohet, stërvitje më e madhe ushtarake shumëkombëshe, e cila organizohet nga ushtria amerikane për Evropën dhe Afrikën që demonstron angazhimin e SHBA-së dhe NATO-s për mbrojtjen kolektive dhe rritjen e gatishmërisë midis forcave aleate dhe për të rritur ndërveprueshmërinë.
Ai vuri në dukje se kjo është pjesëmarrje e tretë me radhë e Shqipërisë në aktivitete të tilla ushtarake të NATO-s.
