Peja mikpret ekipe ndërkombëtare të xhudos, Kosova sërish epiqendër botërore
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka bërë të ditur se këto ditë në Pejë po qëndrojnë ekipe të xhudos nga disa shtete të botës, përfshirë Bosnjën, Suedinë, Japoninë, Portorikon dhe Holandën. Javën e ardhshme pritet t’i bashkohen edhe ekipe e garues nga Gjermania, së bashku me kryetarin e qytetit të Potsdamit – një mik i madh i shqiptarëve – dhe mysafirë të tjerë të rëndësishëm.
“Peja dhe Kosova edhe një herë epiqendër e xhudos botërore! Kosova shtet i xhudos…”, ka shkruar Kuka në një postim shoqëruar me foto të xhudistëve nga Bosnja, të cilët për herë të parë po vizitojnë Kosovën.
Kjo ngjarje konfirmon edhe një herë pozitën e veçantë që ka Kosova në arenën ndërkombëtare të xhudos duke e kthyer Pejën në një qendër stërvitore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. /Kosova.info/
