Rashiq: Do ta votoj Fatmir Limajn për kryeparlamentar nëse propozohet nga Vetëvendosje

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se do ta mbështesë Fatmir Limajn për postin e kryeparlamentarit, në rast se ai do të jetë i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto komente Rashiq i bëri para fillimit të seancës së 23-të për konstituivin e Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se nuk ka informacione zyrtare se nuk do të vazhdojë të jetë ministër për Komunitete dhe Kthim, duke shtuar se ekziston gatishmëria nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ai të vazhdojë të jetë pjesë e ekzekutivit.

“Hera e parë që po e dëgjoj këtë… Nuk kemi biseduar [me Albin Kurtin], përveç se ka një gatishmëri nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ana e kryeministrit që unë të jem pjesë e qeverisë. Kjo që e keni thënë është diçka e re për mua, por në politikë është normale të ketë ndryshime të opsioneve ose planeve, ose ministrave,” deklaroi Rashiq.

I pyetur nëse do të votojë Limajn për kryeparlamentar nëse ai do të propozohet sot, Rashiq u shpreh i qartë: “Po, po. Do ta votoj. Sepse siç thashë më herët, përgjegjësia është koncepti ku duhet të pranoni se ka një shumicë që ka procesin e konstituivit. Unë me vite njihem me Limajn personalisht, sepse hera e parë që kemi qenë në qeveri së bashku ka qenë në vitin 2007, gati 18 vjet më parë. Prandaj, nuk kam asnjë kundërshtim.” /Kosova.info/


Go to TOP