MAShTI njofton për fillimin e aplikimeve për Provimin e Maturës 2025 – Testi mbahet më 21 qershor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se nga dita e nesërme, 27 maj 2025, fillon procesi i aplikimit për Provimin e Maturës Shtetërore. Aplikimi do të bëhet ekskluzivisht përmes platformës elektronike e-Kosova dhe do të jetë i hapur deri më 10 qershor 2025.

Sipas njoftimit, aprovimi i aplikimeve nga koordinatorët e shkollave do të realizohet në periudhën nga 1 deri më 11 qershor 2025.

Provimi i Maturës për vitin 2025 është caktuar të mbahet më 21 qershor dhe do të zhvillohet në një ditë të vetme. Testi do të përfshijë katër lëndë: Gjuhën Shqipe, Gjuhën Angleze, Matematikën dhe një lëndë me zgjedhje nga nxënësi. Çdo lëndë do të ketë nga 25 pyetje duke e çuar numrin total të pyetjeve në test në 100.

Rezultatet e provimit pritet të shpallen më 30 qershor 2025, ndërsa të gjithë nxënësit që e kalojnë testin do të kenë mundësinë të shkarkojnë certifikatën digjitale përmes platformës e-Kosova.

MAShTI inkurajon të gjithë maturantët të ndjekin afatet dhe të sigurohen që të përfundojnë aplikimin në kohë. /Kosova.info/

Go to TOP