Muharremi: LVV po përdor Guxo-n dhe Nismën për të peshkuar elektoratin e LDK dhe PDK; tregon rënie dhe mungesë reformash cilësore

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj lëvizjeve të fundit të grupeve politike të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) duke i cilësuar ato si përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të rritjes dhe fuqizimit politik.

Sipas tij, partitë satelite Guxo dhe Nisma po bëjnë paraqitje publike me të ashtuquajtura “aderime të reja”, me synimin për të ndikuar elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai thekson se kjo është një strategji e LVV-së për të joshur votuesit e lëkundur dhe të pavendosur, sidomos ata me prirje ideologjike nga linjat e Presidentit Rugova dhe të UÇK-së.

“LVV e ka kuptuar se potenciali i saj elektoral ka arritur kulmin dhe tani është në fazë tkurrjeje. Kjo përpjekje për zgjerim përmes satelitëve nuk është reformë, por një formë e paketimit politik pa substancë”, deklaroi Muharremi.

Ai paralajmëroi se ky lloj zgjerimi i pakushtëzuar mund të sjellë edhe dëme serioze duke theksuar se në disa raste janë përfshirë individë me dyshime serioze për pedofili ose figura të cilat LVV i kishte kritikuar ashpër për vite me radhë.

“Nganjëherë duhet të pranosh se ke arritur kulmin. Tkurrja dhe korrektimi janë procese të natyrshme dhe të shëndetshme nëse menaxhohen mirë. Ajo që i duhet LVV-së janë reforma cilësore, ngritje e kapaciteteve dhe kompetencës, jo zgjerim pa kritere”, shtoi ai.

Këto deklarata vijnë në kohën kur po përflitet për zgjedhje të parakohshme dhe partitë politike kanë filluar pozicionimet dhe mobilizimet në terren.


Go to TOP