Gjinovci jep dorëheqje nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të ORCA-s, nis angazhim akademik jashtë vendit

Rron Gjinovci ka bërë të ditur sot se ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv në organizatën ORCA, për shkak të një angazhimi dyvjeçar akademik jashtë Kosovës që nis më 15 shtator 2025. Me këtë rast, ai njoftoi se nuk do të mbajë më asnjë funksion tjetër në ORCA.

Sipas Gjinovcit, vendimi për përzgjedhjen e drejtorit të ri ose drejtoreshës së re do të bëhet përmes një konkursi të hapur publik, me vendim të Bordit Ekzekutiv, Kuvendit të Anëtarëve dhe stafit të organizatës. Ai inkurajoi të gjithë ata që ndihen të aftë për ta udhëhequr ORCA-n që të aplikojnë kur konkursi të hapet në ditët në vijim.

“Po shkoj krenar me punën e ORCA-s. Falënderues për kolegët e koleget, mirënjohës për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kundërshtarët pa të cilët kjo përvojë fantastike s’kish me qenë e tillë,” shkroi Gjinovci në njoftimin e tij publik.

ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim) është një nga organizatat më aktive në fushën e arsimit të lartë në Kosovë, e njohur për hulumtimet kritike, avokimin dhe mbikëqyrjen e reformave në këtë sektor. Dorëheqja e Gjinovcit shënon një moment të rëndësishëm për organizatën dhe hap rrugën për një udhëheqje të re. /Kosova.info/


Go to TOP