Avokati Gazmend Halilaj i bashkohet Partisë Guxo
Partia Guxo ka mirëpritur në radhët e saj avokatin e njohur nga Drenasi, Gazmend Halilaj duke e cilësuar këtë bashkim si një forcim të mëtejmë të vizionit për një Kosovë të lirë, sovrane dhe të drejtë.
Përmes një njoftimi publik, Guxo theksoi se dera e saj është gjithmonë e hapur për profesionistë, idealistë dhe patriotë që duan të kontribuojnë për të mirën e vendit, ndërsa me krenari njoftoi se Halilaj do të jetë pjesë e këtij angazhimi politik.
Gazmend Halilaj, një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas zyrtar i Policisë së Kosovës për 11 vjet, ka ndërtuar një profil të fuqishëm profesional dhe etik në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Që nga viti 2015, ai ushtron profesionin e avokatit, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës”, thuhet në deklaratën e partisë duke nënvizuar përkushtimin e tij për një shtet ku mbizotëron ligji dhe liria.
Partia Guxo i ka uruar mirëseardhje Halilajt duke e cilësuar si një zë të guximshëm dhe të nevojshëm në përpjekjen për ndërtimin e një Kosove më të drejtë dhe më të zhvilluar. /Kosova.info/
