Trandafilova rifiton mandatin si kryetare e Gjykatës Speciale – KMDLNj e quan “gjykatë raciste dhe anti-Kosovë”

Ekaterina Trandafilova, ish-gjykatëse komuniste e Bullgarisë së periudhës së Todor Zhivkovit, ka rifituar mandatin e dytë si kryetare e Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) i konsideron si instrument politik, të pavarur nga drejtësia dhe kundër interesave të Kosovës.

Në një reagim të ashpër, KMDLNj e cilësoi Trandafilovën si shkelëse të rëndë të të drejtave të njeriut dhe këtë gjykatë si një mekanizëm që funksionon mbi baza etnike duke mohuar parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare. Sipas tyre, të gjitha procedurat ndaj të akuzuarve shqiptarë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – janë të motivuara politikisht dhe kanë për qëllim ridizenjimin e skenës politike në Kosovë dhe imponimin e një marrëveshjeje të caktuar ndërkombëtare.

“Dhomat e Specializuara nuk janë dhe asnjëherë nuk kanë qenë gjykatë e Kosovës. Ato u krijuan me shantazhe dhe presion ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe funksionojnë nën një errësirë informative totale. Nuk ka të arrestuar, që nga procesi i Nurembergut, që iu janë shkelur më shumë të drejtat sesa të akuzuarve shqiptarë në Hagë”, thuhet në deklaratën e KMDLNj-së.

Vizitat e Trandafilovës në Kosovë janë krahasuar me “kthimin e kriminelit në vendin e krimit”. KMDLNj kritikon institucionet vendore dhe ndërkombëtare për bashkëpunim dhe heshtje përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut duke përmendur edhe deklarata publike të Trandafilovës që, sipas tyre, kanë cenuar rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë.

Në përfundim, KMDLNj kërkon që institucionet e reja të Kosovës të distancohen qartazi dhe fuqishëm nga kjo Gjykatë, të cilën e cilëson si të ndikuar nga Beogradi dhe me qëllime të qarta për dënimin e figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa prova të mjaftueshme dhe mbi bazë etnike. /Kosova.info/


Go to TOP