Komandanti i KFOR-it pret ambasadorët e vendeve kontribuuese në Prishtinë: Diskutim për sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar
Në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë, Komandanti i Misionit të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, priti në takim Ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese me trupa në KFOR.
Në këtë takim u diskutua një gamë e gjerë temash që përfshijnë zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin shkurt, si dhe takimin e fundit të Komandantit të KFOR-it me Z. Sorensen, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun e lehtësuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Po ashtu, u trajtuan aktivitetet e KFOR-it dhe bashkëpunimi i tij me bashkësinë ndërkombëtare.
Të gjithë pjesëmarrësit theksuan rolin kyç që luan KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe nevojën për unitet në përpjekjet për siguri të qëndrueshme, në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
KFOR-i vazhdon të kontribuojë për një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – në mënyrë të paanshme dhe gjithmonë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse në reagimin ndaj situatave të sigurisë. /Kosova.info/
