Hamiti: Zgjidhja më e mirë për Kosovën është Presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka deklaruar se mënyra më e mirë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të ishte përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve në zgjedhje presidenciale.

Hamiti rikujtoi se një ide e tillë ishte diskutuar edhe në kohën e UNMIK-ut, gjatë hartimit të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në vitin 2001, e nënshkruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Hans Haekkerup. “Të gjithë, përveç LDK-së, sa më kujtohet, kanë qenë kundër zgjedhjes së Presidentit me votë të drejtpërdrejtë”, u shpreh Hamiti. Ai tha se atëherë u vendos që Presidenti të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, me mandat 3-vjeçar, ndërsa këto dispozita, në thelb, mbetën të pandryshuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar më 2008 – me dallimin se tash Presidenti ka mandat 5-vjeçar dhe ushtron kompetenca të kreut të shtetit në një vend të pavarur.

Hamiti kujtoi gjithashtu historinë e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura nga shqiptarët e Kosovës në vitet ’90. “Kosova ka mbajtur zgjedhje presidenciale më 1992 dhe 1998, në të cilat Ibrahim Rugova është zgjedhur Kryetar i Republikës së Kosovës nga qytetarët. Në zgjedhjet e 24 majit 1992, për Rugovën votuan 867.557 qytetarë”, tha ai.

Ai përmendi gjithashtu se pas luftës, Rugova u rizgjodh President nga Kuvendi i Kosovës në vitet 2002 dhe 2004, në përputhje me Kornizën Kushtetuese të vitit 2001.

Për fund, Hamiti theksoi se vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve për Presidentin do ta fuqizonte më tej demokracinë në vend dhe do të rriste legjitimitetin e këtij institucioni. /Kosova.info/


Go to TOP