Zejnullahu: Mediat mund të parandalojnë dhunën, por edhe ta nxisin atë – kërkohet përgjegjësi në raportim
Gazetari i njohur dhe profesori i gazetarisë, Safet Zejnullahu, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së raportimit mediatik për rastet e dhunës duke theksuar se mediat kanë fuqinë ta parandalojnë, por edhe ta nxisin atë. Reagimi i tij vjen pas dy sulmeve fizike të ndodhura mbrëmjen e fundit në sheshet e Prishtinës dhe Podujevës.
“Rastet e vrasjeve dhe vetëvrasjeve ndodhin në të gjitha shoqëritë, por mënyra e raportimit ka rëndësi të madhe,” thekson Zejnullahu. Ai vlerësoi mediat si Telegrafi, Koha dhe Infokusi për raportim të matur, por kritikoi ashpër ato që “e teprojnë për të satën herë duke detajuar përtej të gjitha limiteve”.
Sipas tij, raportimi senzacionalist, që ndonjëherë merr trajta telenovelash, mund të shërbejë si nxitje për vrasje, vetëvrasje apo akte të tjera të dhunshme. “Një 15-vjeçar, për t’u bërë ‘hero mediatik’, nuk përton ta vringëllojë thikën,” paralajmëron ai.
Zejnullahu ka paraqitur tri rekomandime konkrete për mediat:
1. Të raportojnë rastet e dhunës pa emra, pa foto dhe pa detaje, në një vend të padukshëm të portalit;
2. Të hulumtojnë pse aktet e dhunshme shtohen në periudha krizash politike;
3. T’u japin zë ekspertëve që flasin për parandalimin e dhunës.
Ai përshëndeti reagimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Komisionit të Pavarur për Media (KPM), por kërkoi përpjekje shtesë nga këto institucione, përfshirë trajnime dhe udhëzime të reja për raportimet në raste të ndjeshme.
“Mediat profesionale nuk janë vetëm pasqyra e realitetit – ato janë faktor aktiv për ta bërë shoqërinë më të sigurt,” përfundon Zejnullahu. /Kosova.info/
