Kryeziu: Kur mungon vullneti për kompromis, zgjedhjet janë zgjidhja më demokratike

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka analizuar zhvillimet e fundit politike duke vlerësuar se qëndrimet e ngurta të partive kryesore po e ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirën për një zgjidhje përmes marrëveshjes.

Sipas Kryeziut, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër çdo bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), ndërsa në mënyrë diplomatike është shprehur skeptike edhe ndaj propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër, VV ka përjashtuar bashkëpunimin me disa subjekte parlamentare, përfshirë PDK-në duke mbyllur vetes shumicën e opsioneve për ndërtimin e një koalicioni të ri. LDK, ndërkohë, e ka bërë të qartë se nuk mbështet ndonjë qeveri të re, por vetëm një qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse – një ide që nuk po gjen mbështetje të gjerë.

“Në situata kur secila palë mban pozicione të prera dhe mungon vullneti për kompromis, alternativa më demokratike dhe më e ndershme është t’u drejtohemi qytetarëve përmes zgjedhjeve të reja,” ka theksuar Kryeziu.

Ai shton se sa më shumë që vonohet ky vendim, aq më i madh bëhet dëmi për demokracinë, institucionet dhe zhvillimin e vendit. “Ndoshta pas zgjedhjeve, secili subjekt do ta ketë më të lehtë ta kalojë ‘ylberin’ për të reflektuar mbi arsyen e vërtetë pse ekzistojnë partitë politike: për interesin qytetar,” përfundon Kryeziu. /Kosova.info/

Go to TOP