Maliqi e nis me fitore Evropianin, Ajdari e Istogu kalojnë nga një luftë
Karateisti i Kosovës, Betim Maliqi, ka debutuar me fitore në Kampionatin Evropian të Karatesë.
Kampionati Evropian i Karatesë ka nisur sot në Yerevan të Armenisë.
Në kategorinë deri 75 kilogramë, ai ka triumfuar ndaj kroatit Ivan Martinac me rezultat të ngushtë 2:1, pasi ishte i lirë në xhiron e parë.
Fitore ka shënuar edhe Jakup Ajdari në kategorinë deri 84 kilogramë. Ai fillimisht ka eliminuar grekun Konstantinos Mastrogiannis, ndërsa në luftën e dytë është përballur me vendasin Gor Nersisyan. Pas një përballje të përsëritur, Ajdari është mposhtur nga armeni, i cili ka bërë vend në gjysmëfinale. Megjithatë, Ajdari ka gjasa të sigurojë pjesëmarrjen në repesazh, nëse Nersisyan mposht kroatin Ivan Kvesiq.
Kosova ka shënuar një tjetër fitore përmes Elmedina Istogut në kategorinë deri 61 kilogramë. Ajo e ka mposhtur sllovaken Anna Vaczy me rezultat 4:2, por nuk ka arritur të vazhdojë tutje, pasi është mposhtur nga rumunja Mihaela Miruna Malauta me rezultat 11:5 në luftën e dytë.
Ndërkohë, tri karateistet e tjera të Kosovës janë eliminuar në luftën e parë. Fortesa Orana (mbi 68 kg) është mposhtur 7:2 nga belgja Ophelie Mulolo, Vlera Qerimi (deri 61 kg) ka humbur 2:1 ndaj maqedonases Angela Mojsovska, ndërsa Alma Loki është eliminuar në garën e katave nga ukrainasja Halyna Zaporozhchenko.
