Abdixhiku përkujton Prof. Fehmi Aganin në 26-vjetorin e vrasjes: Zëri i urtësisë dhe ideolog i rezistencës sonë paqësore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot figurën e veprimtarit dhe intelektualit të shquar, Prof. Fehmi Agani, në 26-vjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe më 6 maj 1999.
Në një mesazh të ndjerë, Abdixhiku e cilësoi Aganin si një nga shtyllat ideologjike të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi duke theksuar se vrasja e tij ishte një atentat ndaj mendjes, urtësisë dhe vizionit të Kosovës.
“Prof. Fehmi Agani ishte një prej figurave themelore të gjeneratës së artë të intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit XX. Ai edukoi me përkushtim breza të tërë studentësh në Universitetin e Prishtinës, që më vonë u bënë prijës të lëvizjes për liri,” tha Abdixhiku.
Ai kujtoi rolin kyç të Aganit në themelimin e LDK-së dhe në bashkëpunimin e tij të ngushtë me presidentin historik Ibrahim Rugova, ku kontribuoi në hartimin e strategjisë paqësore të rezistencës kosovare.
“Vrasja e tij ishte përpjekje për të goditur boshtin politik dhe intelektual të Kosovës,” shtoi kreu i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku theksoi se trashëgimia e Aganit mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe të denjë për vendin.
“Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Fehmi Aganit!” përfundoi ai. /Kosova.info.
