Presidentja Osmani përkujton akademik Fehmi Aganin: Mençuria e tij ishte shpresë në kohë errësire

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me nderim akademik Fehmi Aganin, në përvjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në një mesazh të ndjerë, Presidentja Osmani e cilësoi Aganin si një prej mendjeve më të ndritura të rezistencës paqësore shqiptare dhe një figurë që mbeti i palëkundur në besimin e tij te fuqia e vlerave njerëzore, edhe atëherë kur bota heshti përballë krimeve të Serbisë në Kosovë.

“Ai besoi te fuqia e vlerave njerëzore edhe në kohën kur bota heshti përballë krimeve të Serbisë në Kosovë. E vrau pikërisht ajo makineri gjenocidale serbe e cila frikësohej nga mençuria e tij që ngjallte shpresë,” theksoi Osmani.

Presidentja shtoi se kujtimi dhe vizioni i akademik Aganit mbetet udhërrëfyes për brezat që besojnë në mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit me çdo kusht.

“Lavdi jetës dhe veprës së Fehmi Aganit!” përmbylli ajo mesazhin e saj.

Fehmi Agani u vra në maj të vitit 1999, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga Kosova, duke mbetur një nga figurat më të respektuara të historisë së re të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP