EFJ dënon ashpër sulmet ndaj AGK-së: Turp për LVV-në dhe z. Kurti, kjo është e denjë për regjime autoritare
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një fushatë të orkestruar nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe kryetarit të Bordit të saj.
“EFJ e dënon fuqishëm fushatën e neveritshme të anëtarëve të partisë së Kryeministrit Albin Kurti. Ne e konsiderojmë atë bashkëpërgjegjës për këto veprime të turpshme. Sulmet ad hominem ndaj gazetarëve janë përpjekje për t’i penguar ata të bëjnë punën e tyre dhe për të shërbyer të drejtës së qytetarëve të Kosovës për t’u informuar,” deklaroi Gutiérrez.
Ai shtoi se këto forma të ngacmimit dhe frikësimit janë të ngjashme me praktikat e regjimeve autoritare dhe paralajmëroi se sjellja e tillë do të raportohet në instancat ndërkombëtare përkatëse. “Ne do ta raportojmë këtë sjellje të turpshme në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe Partinë Evropiane të Socialistëve. Turp për LVV-në dhe z. Kurti!”, përfundoi ai.
Në një reagim të menjëhershëm, AGK ka falënderuar EFJ-në dhe partnerët evropianë për solidaritetin e treguar në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes në Kosovë. /Kosova.info/
