Kosova bie në vendin e 99-të për lirinë e shtypit – AGK ngre alarmin për presionet politike ndaj mediave

Kosova ka shënuar një rënie të thellë dhe shqetësuese në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF) duke u renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete. Kjo përbën pozicionin më të ulët për vendin në një dekadë, krahasuar me vendin e 75 që mbante në vitin 2024.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim të thellë duke e quajtur këtë rënie pasojë të një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj mediave, të nxitur nga veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas raportit të RSF, gazetarët në Kosovë janë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme politike dhe akuzohen pa bazë si “bashkëpunëtorë të armikut”, një retorikë e përhapur nga grupe politike dhe religjioze.

Raporti gjithashtu kritikon ashpër miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM), që sipas RSF-së ka rritur ndikimin politik mbi këtë organ rregullator duke rrezikuar pavarësinë e tij. Ndërkohë, disa media private janë përballur me bojkot institucional, ndërsa Transmetuesi Publik RTK është vënë nën presion nga qeveria.

Gazetarët investigativë dhe mediat e pavarura vazhdojnë të jenë objekt i fyerjeve, shpifjeve dhe fushatave të lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Raporti ngre alarmin edhe për shtimin e padive të natyrës SLAPP, kufizimet në qasjen në dokumente publike, si dhe kërcënimet fizike e vëzhgimin ndaj gazetarëve.

AGK e konsideron këtë renditje si pasqyrim të drejtpërdrejtë të përkeqësimit të klimës së lirisë së medias dhe bën thirrje për bashkëpunim të menjëhershëm mes institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe vetë gazetarëve për të përmirësuar gjendjen. Organizata kërkon hartimin e një ligji të ri për KPM-në që garanton vërtetë pavarësinë e saj, dhe një qasje gjithëpërfshirëse në mbrojtje të gazetarëve.

Raporti i plotë i RSF mund të lexohet këtu: https://rsf.org/en/country-kosovo


Go to TOP