Shahini: Liga e Shkollave të Prishtinës, synon masivizimin e sportit
Drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka folur për hapjen zyrtare të Ligës së Shkollave të Prishtinës.
Shahini në “Mirëmengjesi Kosovë”, theksoi se ky aktivitet ka për qëllim masivizimin e sportit tek të rinjtë, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për të nxitur dashurinë e rinisë për sportin, në veçanti për futbollin. Ai shprehu besimin se kjo iniciativë do të nxjerrë shumë talente të futbollit nga kryeqyteti.
“Ky aktivitet ka për qëllim masivizimin e sportit tek të rinjtë si pikë e pra dhe shumë e rëndësishme që të nxisë dashurinë e rinjve për sportin në veçanti për futbollin, pastaj si produkt besojmë që kjo do të nxjerrë shumë talente të futbollit nga kryeqyteti”, tha Shahini,
Shahini shpjegoi se ky aktivitet është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë së Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Është bashkëpunim i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës me Drejtorinë e Sportit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës. Gjithësie deri tash i kemi 46 shkolla të cilat janë 14 të mesme dhe të tjerat janë shkolla fillore,” u shpreh Shahini.
Ai gjithashtu shtoi se organizimi i këtij aktiviteti ka përfshirë materiale si rekuzita dhe mbështetje logjistike, që realizohen në bashkëpunim me Federatën e Futbollit.
Shahini theksoi se ceremonia e hapjes do të zhvillohet sot nga ora 1:00 në shkollën fillore “Dardania”, ku do të zhvillohet dhe ndeshja e parë.
“Të gjitha materialet si rekuzitat e të tjera të ngjashme, organizimi logjistik, pastaj bëhen në bashkëpunim me Federatën. Sot e kemi hapjen nga ora 1:00 në shkollën fillore ‘Dardania’ dhe atje do të kemi edhe ndeshjen e parë,” përfundoi Shahini.
