Abdixhiku në Kongresin e EPP-së: Takime me miqtë e Kosovës dhe thirrje për angazhim më të madh të së djathtës evropiane
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mori pjesë në ditën e parë të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku zhvilloi takime me miq të LDK-së dhe miq të Kosovës duke theksuar rëndësinë e aleancave ndërkombëtare për vendin.
Abdixhiku uroi Manfred Weber për rizgjedhjen si kryetar i EPP-së me 610 vota nga gjithsej 673 pjesëmarrës. “E takova dhe e urova për rizgjedhje. Siç i rikërkova angazhim të madh të së djathtës evropiane për vendin tonë”, tha Abdixhiku.
Ai zhvilloi takime edhe me liderë të tjerë evropianë, ku ndanë pikëpamje dhe diskutuan për të ardhmen e përbashkët të shteteve evropiane. Në këtë kontekst, Abdixhiku vlerësoi veçanërisht fjalimin e Friedrich Merz, kandidatit për kancelar të Gjermanisë nga CDU duke e quajtur “inspirues dhe një garanci për të gjithë”.
“Kosova duhet t’i mbajë dyert hapura tek aleatët tanë,” theksoi Abdixhiku duke përçuar mesazhin e një partneriteti të fortë me perëndimin dhe të një angazhimi të pandërprerë për integrim evropian. /Kosova.info/
