FFK: Dhuna dhe diskriminimi s’kanë vend në futbollin tonë

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), është pritur futbollisti i ri dhe i talentuar Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli në Kosovë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa përkrahja për Belginin ka qenë e gjerë dhe e fuqishme.

FFK dënon me vendosmëri çdo formë të dhunës në sport dhe njofton se tashmë janë marrë masat përkatëse ndaj klubit organizator të ndeshjes, në përputhje të plotë me rregulloret e garave.

Në deklaratën zyrtare, Federata theksoi se është e përkushtuar për të luftuar çdo akt diskriminues dhe për të mbrojtur vlerat themelore të futbollit: barazinë, respektin dhe unitetin. “Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë,” u theksua nga FFK.

“Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë teje dhe çdo fëmije tjetër që rritet në fushat e futbollit në Kosovë,” u tha në fund të mesazhit të përkrahjes.

FFK bën thirrje për bashkëpunim nga të gjitha palët për ta mbajtur futbollin një mjedis të sigurt dhe edukativ për të rinjtë e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP