AGK në përkrahje të punonjësve medialë: Kërkohet respektimi i Ligjit të Punës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas padisë së ngritur nga gazetari Naim Kryeziu dhe kameramani Fatos Rakovica kundër ish-vendit të tyre të punës, Kanal 10 (Java Multimedia Production).
Në një deklaratë publike, Kryeziu dhe Rakovica kanë bërë të ditur se janë larguar në mënyrë arbitrare nga puna, se nuk u janë paguar dy pagat e fundit dhe se nuk janë derdhur kontributet e tyre pensionale gjatë periudhës së punësimit në këtë media.
AGK e ka cilësuar këtë rast si një moment të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve medialë duke shprehur përkrahje të plotë për betejën e tyre ligjore. Asociacioni i inkurajon të gjithë gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punonjësit e tjerë medialë që të kërkojnë respektimin e kontratave të punës dhe të drejtave të tyre, në përputhje me Ligjin e Punës të Republikës së Kosovës.
AGK ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë çdo punonjës medial që vendos të adresojë shkeljet e pretenduara të kontratës së punës në Inspektoratin e Punës dhe në gjykatat kompetente. /Kosova.info/
