Juventus mposhtet nga Parma dhe rrezikon Champions League
Juventus ka pësuar një humbje të papritur në Javën e 33-të të Serie A, duke u mposhtur me rezultat minimal 1:0 nga Parma, çka e komplikon ndjeshëm garën për një vend në Champions League.
Sfida në “Ennio Tardini” ka nisur me ritëm të lartë, kur kapiteni Manuel Locatelli ka tentuar portën që në minutën e parë, por goditja e tij ka shkuar jashtë.
Megjithatë, kjo nuk është pasuar nga ndonjë dominim i “Bianconerëve”, pasi loja është karakterizuar nga mungesa e qartësisë dhe efikasitetit nga të dyja skuadrat.
Pas një lëndimi të hershëm të Alessandro Vogliaccos, Parma është detyruar ta ndryshojë qasjen taktike, por është përshtatur më mirë se Juventus. Skuadra e Cristian Chivu ka arritur ta zhbllokojë rezultatin në minutën e parë të kohës shtesë të pjesës së parë, kur Emmanuele Valeri ka harkuar saktë dhe Mateo Pellegrino ka shënuar me kokë nga afërsia.
Pjesa e dytë ka sjellë pak ndryshim në lojën e Juventusit, pavarësisht ndërhyrjeve të trajnerit Igor Tudor me zëvendësime. Ka qenë sërish Parma që ka rrezikuar më shumë, duke krijuar një rast të mirë me një kombinim mes Simon Sohm dhe golashënuesit Pellegrino, por tentativa e Sohm është ndalur nga portieri Michele De Gregorio.
Juventus, i cili nuk kishte humbur deri tani ndaj ndonjë skuadre të gjysmës së poshtme të tabelës këtë sezon, është përpjekur të ushtrojë presion në fund, por ka mbetur pa gola përballë një mbrojtje të fortë të Parma.
Me këtë humbje, Juventus gjendet në vendin e pestë në tabelën e Serie A, prapa Interit dhe Napolit që bashkëkryesojnë me pikë të barabarta, ndërsa Parma gjendet në vendin e 15-të, duke fituar tri pikë të vlefshme në betejën për mbijetesë.
