Haziri: Republika mbi të gjithë – Koha për rikthim te vendimet e guximshme politike
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së Republikës dhe demokracisë në një reagim publik ku ka bërë thirrje për rikthim te vendimet e mëdha dhe të guximshme politike në funksion të shtetit.
“Republika mbi të gjithë ne,” u shpreh Haziri duke kujtuar se themeluesit e Republikës nuk e panë Pavarësinë dhe sovranitetin të ndara nga demokracia. Ai vuri në dukje se nuk mjafton të jesh vetëm gardian i Republikës nëse kjo ndodh në dëm të demokracisë duke aluduar në mungesën e balancës institucionale në vend.
Sipas tij, legjislatura aktuale duhet të rikthehet tek përgjegjësitë e mëdha historike dhe të marrë vendime politike të vështira që garantojnë mbrojtjen e arritjeve të 17 shkurtit 2008 – shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“Duhet përgjegjësi dhe udhëheqje me guxim për të mos lejuar cenimin e aspiratave të popullit të Kosovës, që u sublimuan në ditën e shpalljes së Pavarësisë,” përfundoi Haziri duke e vendosur Republikën si vlerën më të lartë mbi çdo interes individual apo politik. /Kosova.info/
