Rexhaj: Kosova nuk ka nevojë për njohje nga shtete të dështuara
Aktivisti i çështjes kombëtare, Sali Rexhaj, ka kritikuar qeverinë e Kosovës për tentativën e saj për të kërkuar njohje nga shtete të kontestuara dhe të dështuara, si Sudani dhe Siria.
Ai theksoi se njohja nga një shtet si Sudani, i zhytur në një luftë civile që nga prilli 2023, nuk sjell asnjë vlerë për Kosovën. Konflikti i përgjakshëm midis Ushtrisë Sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejta ka shkaktuar mbi 12 milionë të zhvendosur dhe mbi 3.5 milionë refugjatë, duke e kthyer këtë në krizën më të madhe humanitare në Afrikë.
Rexhaj theksoi se Kosova duhet të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe të ndjekë një politikë të jashtme të matur dhe të përgjegjshme, duke u distancuar nga regjime të izoluara dhe të përfshira në konflikte.
Ai gjithashtu theksoi se kërkesa për takime zyrtare me liderë të kontestuar ndërkombëtarisht, si udhëheqësi i ri i Sirisë, Ahmed el-Sharaa, është një gabim i rëndë diplomatik.
Rexhaj u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të ndjekin një politikë të jashtme që respekton vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut. /Kosova.info/
