Matoshi: Njohja nga Sudani dëshmon fuqinë e Presidentes Osmani jashtë “eklipstit albinist”
Analisti dhe publicisti Halil Matoshi ka reaguar pas njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të fuqisë diplomatike të Presidentes Vjosa Osmani, në momentin kur ajo, sipas tij, arrin të çlirohet nga ndikimi i kryeministrit Albin Kurti.
Matoshi thotë se Osmani “funksionon në rolin e saj kushtetues kur çlirohet nga diktati i Kurtit, nga fantazitë e tij antikapitaliste, antiamerikane dhe populiste” duke shtuar se pikërisht në këto momente, Presidentja arrin të sjellë rezultate të prekshme në politikën e jashtme.
Ai përmend edhe njohjen e mëhershme nga Kenia si një sukses të Behgjet Pacollit, i cili sipas tij, është bullizuar nga “partitokracia e Kurtit dhe militantët e VV-së”, ndërkohë që kjo njohje u mbështet edhe nga Osmani. Sipas Matoshit, këto njohje po shënohen pas rikthimit të vështirë të aleatëve strategjikë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë – në përkrahje të Kosovës.
Në fund, Matoshi i bën thirrje Presidentes që të qëndrojë pranë interesave të shtetit dhe sa më larg “apetiteve predatore për pushtet personal” të Albin Kurtit duke shprehur bindjen se për Kosovën po vjen një epokë më e ndritur në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
