Rama: Historike – Dr. Astrit Hasani nga Prishtina zgjidhet President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Në një moment historik për sportin kosovar dhe gjithë shqiptarët, Dr. Astrit Hasani nga Prishtina është zgjedhur President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), në Kongresin Zgjedhor të mbajtur në Chisinau të Moldavisë. Hasani mposhti Presidentin aktual të EWF-së, italianin me nënshtetësi moldave Antonio Conflitti duke sjellë për herë të parë në krye të një federate evropiane një shqiptar.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë zgjedhje si një moment historik dhe një krenari për Prishtinën dhe Kosovën. “Si kandidat për president të EWF, Dr. Hasani kishte mbështetjen time të plotë,” tha Rama duke theksuar rëndësinë e kësaj arritjeje për afirmimin ndërkombëtar të sportistëve dhe profesionistëve shqiptarë.

Dr. Hasani është një figurë me përvojë të gjerë në arenën ndërkombëtare të sportit. Ai ka shërbyer si arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të EWF që nga viti 2016, ndërsa në Kosovë është kryetar i Federatës së Peshëngritjes.

Me një karrierë akademike mbresëlënëse, përfshirë magjistraturën nga Universiteti i Kembrixhit dhe doktoraturën nga Universiteti i Varshavës, Dr. Hasani është gjithashtu i njohur për qëndrimin e tij se sporti duhet të qëndrojë mbi politikën.

Në vitin 2022, ai ishte CEO i organizimit të Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, mbajtur në Tiranë, për të cilin mori çmimin “The Grand Excellence Award” nga organizata “Albanian Excellence”. Po ashtu, për kontributin e tij të çmuar në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë u nderua me çmimin “Ylli i Artë”.

Zgjedhja e Dr. Hasanit në krye të EWF shënon një kapitull të ri jo vetëm për Kosovën në sportin ndërkombëtar, por edhe për përfaqësimin e denjë të vlerave profesionale dhe kombëtare në Evropë. /Kosova.info/


Go to TOP