Muharremi me Letër të Hapur ndaj ZRRE-së: Mos e ndani vendin nga populli, e as energjinë nga drejtësia sociale

Eksperti i ekonomisë Shenoll Muharremi ka publikuar një letër të hapur drejtuar anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke i bërë thirrje që të mos miratojnë rritje të reja të tarifave të energjisë elektrike.

Në letrën e tij, Muharremi thekson se vendimi i ZRRE-së nuk është thjesht teknik, por ka pasoja të thella socio-ekonomike dhe politike për qindra mijëra qytetarë dhe mijëra biznese të Kosovës. Ai thekson se rritjet e mëparshme të çmimeve kanë ndikuar ndjeshëm në fuqinë blerëse, kanë ulur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe kanë rritur importet dhe migrimin.

“Nuk është më një diskutim për kilovatë dhe tarifa. Është një diskutim për ndikimet sociale dhe funksionimin ekonomik të vendit tonë”, shkruan Muharremi duke paralajmëruar se një vendim për rritje të mëtejme do të ishte me pasoja të rënda për ekonominë e Kosovës.

Ai kërkon që ZRRE të mos marrë asnjë vendim për rritje të tarifave pa një Kuvend funksional dhe pa marrë parasysh reagimet masive nga qytetarët, bizneset, sindikatat, deputetët dhe vetë Presidentja e Republikës.

“Sot nuk jeni vetëm rregullatorë. Sot jeni vendimmarrës për fatin ekonomik dhe social të Kosovës”, përfundon letra e Muharremit, e cila përçon një thirrje të fortë për përgjegjësi dhe reflektim institucional.

ZRRE pritet të marrë vendim në ditët në vijim për tarifat e reja të energjisë, çështje që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. /Kosova.info/

Go to TOP