Kurti fton Abdixhikun për konsultime për qeverinë e re – nis konfigurimi i ri politik në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar ftesë zyrtare kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për t’u takuar më 9 ose 10 prill për formimin e institucioneve të reja. Reagimet nga analistët zbulojnë përplasje të reja dhe rikonfigurim të mundshëm të pushtetit.

Ftesa e Kurtit për Abdixhikun

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, për t’u takuar më 9 ose 10 prill. Qëllimi i takimit është konstituivi i plotë i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe diskutimi për zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, më 9 prill në ora 15:00, apo të enjten, më 10 prill në ora 9:00 ose 14:00,” thuhet në letrën e Kurtit.

Muharremi komenton ftesën e Kurtit – Pozitiv që Kurti ka reflektuar – duhet ftesa edhe për PDK e AAK

Analisti Shenoll Muharremi ka përshëndetur vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të ftuar LDK-në në konsultime, duke e konsideruar këtë si një reflektim nga qëndrimet e mëparshme të partisë në pushtet.

“Më vjen mirë që LVV ka reflektu nga qëndrimet e mëparshme dhe i ka dërgu letër për konsultime LDK-së. Shpresoj që kjo nuk është bë vetëm si procedurë, po që ka vullnet me i konsideru opsionet për një qeveri stabile dhe me kompetencë,” deklaroi Muharremi.

Ai shtoi se ftesa duhet të zgjerohet edhe për PDK-në dhe AAK-në, ndërsa inkurajoi partitë opozitare që të marrin pjesë në këto konsultime, në të mirë të vendit dhe për stabilitet institucional.

Rexhaj paralajmëron rikonfigurim politi – Po bien maskat – PDK dhe AAK rikthehen në qendër të skenës politike

Analisti politik, Sali Rexhaj, ka reaguar ashpër ndaj ftesës së Kurtit për Abdixhikun, duke e interpretuar këtë si shenjë të fundit të një përpjekjeje të dështuar për të formuar qeveri. Sipas tij, përplasjet e brendshme brenda Vetëvendosjes dhe afrimimi i Gllauk Konjufcës me PDK-në po krijojnë një konfigurim të ri politik që përjashton Kurtin.

“Pas dështimit për të formuar qeveri me pakicat dhe me Listën Serbe, Albin Kurti duket se ka ftuar ‘xhokerin’ e fundit – Lumir Abdixhikun,” deklaroi Rexhaj, duke shtuar se një aleancë mes Konjufcës, Memli Krasniqit dhe Ramush Haradinajt po merr formë.

Sipas tij, krahu atdhetar i LDK-së dhe VV-së mund të distancohet nga udhëheqësit aktualë të këtyre partive, duke çuar në një përçarje të thellë. Rexhaj vlerëson se në fund, vetëm PDK dhe AAK do të dalin më të forta nga kjo situatë, ndërsa VV dhe LDK do të përballen me pasoja të rënda politike. /Kosova.info/

Go to TOP