Conceiçao e sheh Kupën e Italisë si rrugë drejt Evropës

Milan ka zhgënjyer këtë sezon, por një triumf në Coppa Italia mund të jetë rruga më e shpejtë për t’u rikthyer në garat evropiane, ka thënë trajneri Sergio Conceiçao para përballjes së parë gjysmëfinale ndaj Interi të mërkurën.

Milan renditet në vendin e nëntë në Serie A me dyzet e shtatë pikë, njëzet më pak se Inter që është lideri dhe suksesi në Kupën e Italisë mund të jetë mundësia e vetme për të siguruar një vend në Evropë.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo është e rëndësishme për Evropën, por nuk duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera. E dimë që kjo është rruga më e shpejtë”, ka deklaruar Conceiçao në konferencën për shtyp të martën. “Do të isha i kënaqur me një trofe, por fillimisht duhet të fitojmë me Inter dhe pastaj të mendojmë për finalen. Më pëlqen të fitoj ditë pas dite, jo të merrem me parashikime”.

Trajneri portugez e ka pranouar se Milan nuk është aty ku duhet të jetë.

“Milani nuk është mësuar me këtë renditje, por ka ende shumë ndeshje për të luajtur”, ka thënë ai. “Nuk jam njeriu më i lumtur në botë pas asaj që kam përjetuar muajt e fundit. Kam pasur momente të mira, por shumë më tepër zhgënjime. Duhet të përmirësohemi, por nuk është e lehtë për askënd”.

Megjithatë, në tre përballjet e këtij sezoni me Inter, Milani ka dalë i pamposhtur, duke fituar dy herë para se rivalët të siguronin një barazim 1-1 në shkurt.

“Këto kanë qenë ndeshje të rëndësishme për ne. Situatat janë të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm në fushë. Do të shohim nëse mund të bëjmë një lojë të mirë nesër dhe çfarë mund të bëjë Interi”, ka thënë Conceiçao. “Ata janë një ekip shumë i fortë, me një lojë të konsoliduar dhe një trajner që ka kohë që drejton skuadrën”.

Go to TOP