Ngritet aktakuzë kundër dy të pandehurve për rrëmbim

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, A.K dhe B.S për veprën penale “Rrëmbimi” .

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit në bashkëkryerje me 17 dhjetor të vitit 2024, rreth orës 10:00, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Pejë, nën kanosje për vrasje kishin rrëmbyer viktimën, D.K me qëllim që të ju kthej borxhin vëllai i viktimës K.K, që ua kishte në shumën prej 1.500 eurosh të pandehurit A.K dhe 2000 euro të pandehurit B.S..

“Ditën kritike e urdhërojnë viktimën të futet në veturën e tyre dhe nisen në drejtim të Prishtinës, duke ju drejtuar me fjalët  “tash deri në ora gjashtë babai yt i paguan paret ose të qojmë në Shalë të Bajgores dhe e dimë se çfarë bëjmë me ty”, thuhet në njoftim.

Mirëpo, sipas njoftimit, viktima D. K kishte arritur ta njoftojë shokun e tij se ishte rrëmbyer dhe pas bashkëpunimit mes policisë së Pejës dhe atyre të Podujevës, të pandehurit lokalizohen në fshatin Lupç dhe të arrestohen.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit  kanë përmbushur elementet e veprës penale ”Rrëmbim’”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e  cila ju vihet në barrë. /Kosova.info/


Go to TOP