Tahiri: PDK mbrojti Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve përballë një mazhorance arrogante

Abelard Tahiri ka falënderuar Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, ish-Kryetarin Enver Hoxhaj dhe deputetët e legjislaturës së kaluar (2021-2025) për besimin e dhënë në udhëheqjen e Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvend.

Në një reagim publik, Tahiri ka theksuar se përballë një mazhorance që e cilëson arrogante, PDK ka mbrojtur interesat e qytetarëve, ka kundërshtuar vendime arbitrare dhe ka ngritur në Kuvend çështje me rëndësi jetike.

Ai ka veçuar si një nga angazhimet kryesore sfidimin e shkeljeve kushtetuese, duke bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së ka dorëzuar 27 lëndë në Gjykatën Kushtetuese – përfshirë 24 ligje dhe 3 vendime. Sipas tij, deri tani, 4 ligje dhe 1 vendim janë shpallur kundër-kushtetuese, ndërsa 20 të tjera mbeten ende në shqyrtim.

“Mbrojtja e Kushtetutës dhe e demokracisë ka qenë dhe mbetet një betejë e domosdoshme. Angazhimi ynë për sundimin e ligjit do të vazhdojë me vendosmëri,” ka deklaruar Tahiri duke nënvizuar se PDK do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe rendit kushtetues në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP