Dedaj: Pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar

Mbrëmë rreth orës 21:00, në rrugën Prishtinë-Pejë, konkretisht në lokacionin e njohur si tek semaforët në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, ka ndodhur një aksident, me ç’rast një person ka humbur jetën.

Zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha, i tha RTK-së përmes telefonit se në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore  dhe autoambulanca, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës së moshës 64 vjeçe, përderisa hetimet lidhur me rastin janë në proces nga njësitet kompetente policore.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, tha se kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar në trafik gjatë festimeve të Bajramit, si nga automjetet por  edhe të këmbësorëve.

“Fatkeqësisht, unë shpesh e them se sa persona jemi aq polici nuk mundemi me e bë. Por megjithatë, të gjithë drejtuesit e automjetit duhet me pas kujdesin e shtuar edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, sikurse edhe ndaj automjeteve tjera por edhe ndaj këmbësorëve, por sigurisht edhe këmbësorët duhet me pas kujdesin e madh ndaj qarkullimit të automjeteve. Por, ne e shohim që tani është Bajram dhe lëvizjet me automjet edhe të këmbësorëve janë shumë më të shpeshta, në krahasim me ditët normale dhe sigurisht që kujdesi duhet me qenë shumë më i madh”, tha pwr RTK, Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.

Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se është arrestuar shoferi që ka shkaktuar aksidentin dhe është dërguar në mbajtje. Ndërsa, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

 Ndërkaq, vetëm në raportin e policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit  në tërë territorin e Kosovës janë regjistruar 23 aksidente trafiku me të lënduar, 27 aksidente me dëme materiale si dhe janë shqiptuar 784 tiketa trafiku.

Go to TOP