Krasniqi: LDK e shkëputur nga tradita, po prioritizon partinë mbi interesin shtetëror
Njëri nga themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi, ka kritikuar qasjen aktuale të saj duke theksuar se partia është shkëputur nga tradita e saj historike e kompromisit në interes të shtetit.
Në një analizë të tij, ai kujton disa raste kur LDK-ja, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, kishte bërë lëshime ndaj rivalëve politikë për hir të proceseve madhore shtetërore. Ai përmend vitin 1998, kur LDK-ja, ndonëse i kishte fituar bindshëm zgjedhjet, formoi G7 dhe G15 duke u dhënë hapësirë grupeve të tjera politike, një veprim që sipas tij ndihmoi në sigurimin e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën.
Po ashtu, ai rikujton se në bisedimet e Rambujesë, LDK-ja dhe Ibrahim Rugova pranuan që delegacioni i Kosovës të kryesohej nga një përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “LDK-ja humbi në imazh, por fitoi Kosova,” shkruan Krasniqi.
Edhe pas çlirimit, sipas tij, LDK-ja kishte treguar gatishmëri për bashkëpunim, duke ia lënë postin e kryeministrit PDK-së në qeverinë e parë të pasluftës, një vendim që sipas Krasniqit ndihmoi stabilitetin e shtetit.
Por, ai shprehet kritik për qasjen aktuale të LDK-së duke thënë se tani partia po mbron vetëm interesat e veta dhe jo ato të Kosovës. “Nuk mund të mbrohet interesi i partisë nëse dëmtohet interesi i shtetit,” përfundon ai. /Kosova.info/
