Qeveria e Kosovës reagon pas telefonatës së rreme ndaj Albin Kurtit: Akuzon Rusinë për ndërhyrje
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar sot lidhur me incidentin e një telefonate të rreme ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar si pjesë të një fushate më të gjerë të dezinformimit të udhëhequr nga Rusia dhe Serbia.
Sipas deklaratës zyrtare, ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi për rezultatin zgjedhor. Për shkak të kufizimeve kohore, nuk ishte e mundur verifikimi i plotë i çdo telefonate.
Qeveria e Kosovës thekson se ky incident është dëshmi e vazhdimit të ndërhyrjeve ruse në vend, duke përmendur se gjatë fushatës zgjedhore, mediat ruse si Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kanë publikuar mbi 60 artikuj me lajme të rreme dhe dezinformata, të cilat synonin të ndikonin në procesin demokratik të Kosovës. Këto ndërhyrje, sipas qeverisë, janë dokumentuar edhe nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i BE-së.
Në përfundim, Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për faktin që Kryeministri Kurti ishte shënjestër e kësaj telefonate të rreme, por thekson se ky rast konfirmon edhe një herë qëndrimin e tij parimor dhe të palëkundur për çështje kyçe, si në diskutimet publike ashtu edhe në ato private. /Kosova.info/
Statement from the Office of the Prime Minister regarding the prank call incident. pic.twitter.com/GARMgzblwX
— Perparim Kryeziu (@KryeziuPerparim) March 26, 2025
