Kenia e njeh Kosovën
Në një moment historik për diplomacinë kosovare, Republika e Kenias e njohu zyrtarisht sot Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ceremonia e njohjes u zhvillua në Nairobi, ku Presidenti i Kenias, William Ruto, e shpalli këtë vendim duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Njohja nga Kenia vjen pas një fushate të gjatë diplomatike të udhëhequr nga Behgjet Pacolli, i cili prej vitit 2009 ka punuar intensivisht për ta bërë këtë moment realitet. Ai e cilësoi këtë arritje si “zërin e lirisë së Kosovës që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës” dhe një sukses të diplomacisë aktive.
“Kjo është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet. Që nga viti 2009 kam lobuar pa pushim për këtë ditë. Presidenti Ruto e mbajti fjalën e dhënë dhe sot flamuri ynë valon në Nairobi,” deklaroi Pacolli.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një ambasadë të përbashkët me Shqipërinë në Nairobi duke e cilësuar këtë si një mundësi për forcimin e aleancave politike, ekonomike dhe kulturore me vendet afrikane.
Pacolli falënderoi bashkëpunëtorin e tij, Jetlir Zyberaj, për angazhimin e vazhdueshëm në këtë proces, si dhe presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen shtetërore të Shqipërisë në këtë nismë.
“Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua,” përfundoi Pacolli duke e cilësuar këtë si një fitore të madhe për qytetarët e Kosovës.
Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Lavdi Kosovës! /Kosova.info/
