Shtufi për iftarin e organizuar nga Rama: Më në fund një akt qytetërues

Në mjediset e Katedrales së Prishtinës, në Bogdanipolis, u mbajt Tryeza e Dialogut Ndërfetar me temën “Dialogu Ndërfetar sipas Modelit Shqiptar”. Në përmbyllje të këtij aktiviteti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shtroi një iftar duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.

Këtë veprim e komentoi publicisti Pal Shtufi, i cili e cilësoi organizimin si një hap qytetërues, ndonëse theksoi se institucionet shtetërore nuk duhet të ndërhyjnë në festat fetare. Ai vlerësoi faktin që ky organizim kishte një qasje ndryshe nga të mëparshmet dhe se kishte shërbyer për të afruar mendësitë.

“Shumë mirë që i paske udhëzuar që të festojnë bashkë. Tani le ta vazhdojnë ata, pa ty dhe pa shtetin. Shteti ka punë shumë më imediate dhe më të rëndësishme se me u marrë me festat e religjioneve,” shkroi Shtufi. Ai shtoi se, ndonëse religjioni është i garantuar me kushtetutë dhe ligje, ai nuk duhet të dominojë mbi edukimin dhe zhvillimin shoqëror.

Në përfundim, Shtufi e përgëzoi kryetarin Rama për idenë dhe realizimin e saj duke e cilësuar një nismë pozitive për dialogun dhe bashkëjetesën ndërfetare. /Kosova.info/

Go to TOP