Krasniqi: Refuzimi i Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait, i padrejtë dhe çnjerëzor
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Në një postim publik, Krasniqi e cilësoi këtë vendim si një padrejtësi të rëndë duke theksuar se drejtësia nuk mund të funksionojë pa humanizëm dhe ndjeshmëri.
“Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij,” ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, refuzimi i kësaj kërkese tregon më shumë për arbitraritetin dhe mungesën e ndjeshmërisë së gjykatës sesa për respektimin e ligjit. Ai theksoi se historia nuk do ta harrojë këtë vendim dhe se drejtësia pa humanizëm është vetëm një mekanizëm i ftohtë e i pajetë.
Reagimi i Krasniqit vjen pas zhgënjimit të madh të shprehur nga shumë figura politike dhe qytetarë, të cilët e konsiderojnë këtë një padrejtësi të thellë ndaj Thaçit dhe familjes së tij. /Kosova.info/
