Syla: Serbia nga agresore në partnere të SHBA-së, Kosova mbetet në vendnumëro

Diplomati dhe gazetari Donat Syla ka ngritur një paralele mes trajtimit të Serbisë dhe Kosovës nga fuqitë e mëdha, duke theksuar ndryshimin e statusit të Serbisë nga një shtet agresor në një partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka përmendur një fakt simbolik për të ilustruar këtë transformim: ndërtesa qendrore e Shtabit të Ushtrisë Jugosllave në Beograd, e bombarduar nga NATO në vitin 1999, është dhënë për zhvillim biznesi nga kompani amerikane, përfshirë Jared Kushnerin, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Syla ka bërë një krahasim hipotetik duke thënë se nëse Rusia do të bombardonte kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe më pas qeveria kosovare do t’ua jepte atë hapësirë bizneseve ruse për ndërtimin e një hoteli, do të kishte një reagim të fortë. Por Serbia ka bërë pikërisht këtë me hapësirën e bombarduar nga Amerika dhe tani vazhdon të forcojë marrëdhëniet me SHBA-në.

Ai gjithashtu komentoi takimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç me djalin e Donald Trump duke vënë në pah mungesën e flamujve zyrtarë në sfond si një tregues i një takimi joformal. Sipas tij, Serbia ka arritur ta transformojë veten nga një vend agresor në një partnere strategjike, ndërsa Kosova ka mbetur e izoluar dhe e papërfillur në politikën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP