Juniku: Qëllimi i fushatës `Barazo faturën` është ngritja e fondeve
Ka nisur fushata tradicionale e “Sos Fshatrave” me moton “Barazo faturën”, e cila do të zgjasë një muaj. Shpend Juniku, përgjegjës për mbledhje të fondeve nga korporatat e “Sos Fshatrave”, bëri me dije në RTK se qëllimi i kësaj fushate është ngritja e fondeve për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe rrezik të braktisjes.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK tha se në të gjitha pikat e “Meridian Express” konsumatorët mund ta barazojnë faturën. “Për shembull, nëse fatura bëhet 3.97 euro centë, ju mund t’i barazoni ata tre centë dhe t’i jepni për fëmijët e ‘Sos Fshatrave’”, tha ai.
Ndër të tjera, ai tregoi se kjo ide ka nisur para 12 vjetëve.
“Kemi raste prej më të ndryshmeve. Jo gjithmonë e barazojnë faturën. Kemi pasur raste kur klientët e kanë barazuar me 10, 20 euro. Ka ndodhur edhe 100 euro që i kanë dhuruar për fëmijët e ‘Sos Fshatit’”, tha ai.
“Ne kemi synim për t’u zgjeruar edhe në marketet e tjera. Jemi duke punuar në atë drejtim, por po presim mirëkuptim edhe me marketet e tjera. Bashkëpunimin me ‘Meridianin’ e kemi që 12 vjet, por po shpresojmë që në të ardhmen do të zgjerohemi, sepse çdo cent për ne është i rëndësishëm, sepse ne jetojmë falë donacioneve dhe të gjitha të hyrat që i kemi, shfrytëzohen për mirëqenien e fëmijëve”, shtoi Juniku.
