Krasniqi viziton Thaçin në Hagë: E vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi e cilësoi këtë si një betejë të re për lirinë, duke vlerësuar qëndresën dhe dinjitetin e Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. “Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se pavarësisht padrejtësive, përfshirë mohimin e të drejtës për të parë babanë e tij të sëmurë, Thaçi vazhdon të ruajë optimizmin dhe besimin në triumfin e drejtësisë. “Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet, me dritën e së vërtetës dhe të lirisë, dielli do të lindë përsëri”, përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/
