Prishtina marshon për barazi dhe drejtësi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Nën moton “MARShojmë, S’festojmë”, organizata feministe dhe aktivistë të shumtë kanë thirrur protestën e përvitshme për Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Protesta vjen si reagim ndaj dhunës së vazhdueshme ndaj grave, pabarazive sociale dhe neglizhencës institucionale. Organizatorët kanë rikujtuar rastet tragjike të dhunës ndaj grave gjatë vitit të fundit, duke përfshirë vrasjet e Erona Coklit, Gjyljeta Ukellës dhe dhunën ndaj grave në Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Në njoftimin e protestës theksohet se këto raste nuk janë të izoluara, por pasojë e një sistemi patriarkal që riprodhon dhunë në jetën private dhe publike të grave.
“Ky marsh është revoltë kundër patriarkatit, kapitalizmit dhe pabarazive globale. Ne marshojmë për drejtësi, solidaritet dhe mirëqenie për të gjitha gratë, pa dallim etnie, identiteti apo gjendjeje sociale,” thuhet në thirrjen e protestës.
Protesta pritet të fillojë në orën 12:00, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në mbështetje të të drejtave të grave dhe kundër çdo forme shtypjeje. /Kosova.info/
