Musliu akuzon KQZ-në dhe diplomacinë: Në shërbim të votave për VV-në, jemi në prag të diktaturës
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe misionet diplomatike të Kosovës jashtë vendit se po veprojnë në shërbim të votave për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përmes një reagimi në Facebook, Musliu ka thënë se po bëhet e qartë se ankesat e mërgimtarëve për pengesat në procesin e regjistrimit si votues janë të vërteta. Ajo ka akuzuar misionet diplomatike se janë të mbushura me militantë partiakë, të cilët, sipas saj, kanë për detyrë sigurimin e votave për Albin Kurtin dhe Donika Gërvallën.
“Shteti, në të gjitha hallkat e tij, është i kapur. Jemi në prag të instalimit të një diktature,” ka shkruar Musliu.
Ajo ka bërë thirrje që ky proces të hetohet nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se diaspora nuk është e Albin Kurtit, por po favorizohen vetëm ata që bëjnë propagandë për partinë në pushtet. /Kosova.info/
