Demi ironizon me punën e Inspektoratit të Punës: Shkon me u anku për shkelje, përfundon tu u anku për Inspektoratin
Analisti Agron Demi ka kritikuar ashpër funksionimin e Inspektoratit të Punës në Kosovë, duke përshkruar përvojën e tij me institucionin. Përmes një reagimi në rrjete sociale, Demi ka treguar se si tentativa e tij për të dorëzuar një ankesë u shndërrua në një odise të gjatë burokratike dhe të paqartë.
Ai ka denoncuar se numri kontaktues i Inspektoratit që figuron në ueb faqe nuk funksionon, ndërsa adresat e publikuara nuk përkojnë me lokacionin e zyrave. Pas disa përpjekjeve për të dorëzuar ankesën fizikisht, Demi zbuloi se zyra e Inspektoratit në Prishtinë ndodhet mbi zyrat e Postës në Zonën Industriale, pa asnjë shenjë apo orientim publik.
“Shkon me u anku për shkelje, përfundon tu u anku për mospunën e Inspektoratit,” ka shkruar Demi me ironi duke treguar se edhe kryesuesi i Inspektoratit për rajonin e Prishtinës është në proces ankimimi ndaj Kryeinspektorit. /Kosova.info/
