Sejdiu i jep lamtumirën ambasadorit Frank Wisner: Mik i shtrenjtë i Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të ambasadorit amerikan Frank Wisner duke e cilësuar atë një mik të shtrenjtë dhe një kolos të diplomacisë botërore.

Në një reagim publik, Sejdiu theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Wisner-it në procesin e Bisedimeve të Vjenës dhe në mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Ai kujtoi me mirënjohje përkushtimin dhe kreativitetin diplomatik të ambasadorit, i cili mbeti konsekuent në ndihmën për zgjidhje optimale edhe në situata të vështira.

“Miqësia ime me Ambasadorin Wisner vazhdoi edhe pas pavarësisë së Kosovës. Takimin e fundit e patëm në shtëpinë e tij, ku më ftoi për drekë bashkë me gruan time. Jetonte aktivisht me Kosovën dhe sfidat e saj, duke planifikuar ta vizitonte së shpejti,” shkroi Sejdiu.

Në fund, ai shprehu ngushëllimet e tij më të thella për familjen e Wisner-it dhe falënderoi ambasadorin për kontributin e tij të çmuar ndaj Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP