Kurti: Krijimi i Kosovës, një nga historitë më të fuqishme të lirisë në Evropë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur urimet e tij për 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar krijimin e shtetit si një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore të lirisë dhe këmbënguljes në Evropën moderne.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se Kosova, ndonëse shteti më i ri në kontinentin e vjetër, ka një histori të gjatë të përpjekjeve për shtetndërtim. Ai nënvizoi rëndësinë e barazisë dhe bashkëjetesës në Kosovë, duke e quajtur atë shtëpinë e përbashkët të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike, kulturore apo fetare.

“Lavdi dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. E bekuar qoftë rruga e Republikës së Kosovës krah Republikës së Shqipërisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tona aleate evropiane dhe të tjera perëndimore. E ndritur qoftë e ardhmja jonë dhe e gjithë fëmijëve tanë, në paqe dhe përparim,” u shpreh Kurti.

Kryeministri përcolli urimet për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke shprehur shpresën për një të ardhme të ndritur dhe të begatë. /Kosova.info/


Go to TOP