Abdixhiku: Pavarësia është arritja jonë më e madhe, sot festojmë të gjithë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e përvjetorit të 17-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar atë si arritjen më të madhe të kombit.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku ka nderuar Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirët dhe dëshmorët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai ka vlerësuar edhe sakrificën e Familjes Jashari duke e cilësuar atë si gurthemel të lirisë së Kosovës.
“Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë,” ka theksuar ai.
Abdixhiku ka bërë thirrje për unitet dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj shtetit, duke theksuar se përplasjet politike janë të përkohshme, ndërsa atdheu është i përhershëm.
“Veç një Kosovë kemi. Urime dita e pavarësisë!” përfundon mesazhi i tij. /Kosova.info/
