Syla kritikon Jasharin për sulmet ndaj OVL-UÇK-së: Familjarët e heronjve duhet të maten me të njëjtin standard
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bekim Jasharit, i cili kritikoi Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për mospjesëmarrje në manifestimet e organizuara nga qeveria.
Syla thekson se pas Prekazit dhe familjes Jashari, një tjetër simbol i lavdisë së UÇK-së mbetet Gllogjani dhe familja Haradinaj. Ai argumenton se nëse kritikat ndaj Ramush Haradinajt janë legjitime, përkundër rolit të tij të rëndësishëm në luftë, atëherë nuk duhet të ketë hezitim në kritikimin e Bekim Jasharit për veprimet e tij në favor të politikës ditore.
“Lavdia e Adem dhe Hamëz Jasharit është e përjetshme ndër shqiptarë, e pasardhësit e tyre bëjnë mirë të jenë shembull i modestisë dhe të jenë shqiptarë model për të gjithë,” shkruan Syla.
Debati vjen pas mospërfshirjes së OVL-UÇK-së në ngjarjet zyrtare të organizuara nga qeveria, çka ka shkaktuar ndasi të mëdha brenda strukturave të veteranëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së. /Kosova.info/
