Peci: Kosova vetë e ka futur veten në krizën më të paparashikueshme politike
Diplomati dhe analisti politik Lulzim Peci ka vlerësuar se Kosova, me vetëdije të plotë, është futur në periudhën më të paparashikueshme politike që nga shpallja e pavarësisë. Sipas tij, vendimi për të mos dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese ka sjellë pasoja të rënda duke penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke mbyllur rrugët për integrim të mëtejshëm në BE dhe NATO.
Peci thekson se vendimet e marra kanë çuar në përkeqësimin e marrëdhënieve me Perëndimin, ndërsa lëvizjet në rendin botëror po favorizojnë qëndrimin e Rusisë, e cila ka insistuar që marrëveshja Kosovë-Serbi të ndodhë vetëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Ai paralajmëron se përfundimi i kësaj lufte mund të sjellë çarje të mëdha transatlantike dhe të ketë pasoja të mëdha për Kosovën. “Cilado qoftë rrjedha që do të marrë marrëveshja Kosovë-Serbi, mos u ankoni, sepse këtë e kemi dëshiruar vetë,” shkruan ai.
Sipas Pecit, Qeveria është fokusuar në taktika politike afatshkurtra, si rasti i urës së Ibrit duke neglizhuar pasojat strategjike. “Kështu përfundon kur veshët dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë,” përfundon ai. /Kosova.info/
