Arrestohen dy persona për therje me thikë të një 23-vjeçar në Ferizaj

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, kanë arritur të identifikojnë dhe rreth orës 21:50 të arrestojnë dy persona të dyshuar të implikuar në këtë rast. Të dyshuarit, pas arrestimit, janë shoqëruar në stacionin policor.

“Pas intervistimit nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit të rastit, dy personat e dyshuar, E.P. (M/K) dhe N.D. (M/K), të moshës 21 vjeç, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma e ftohtë ( thikë), me të cilën dyshohet se është shkaktuar lëndimi. Policia do të vazhdojë hetimet dhe do të informojë publikun për zhvillimet e tjera lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Theret me thikë një 23-vjeçar në Ferizaj

Një 23-vjeçar është therur me thikë në Ferizaj, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Sipas policisë, nga hetimet fillestare, rrethanat se pse ka ardhur deri te akti, janë ende të paqarta. Policia ka bërë të ditur se i plagosuri është transferuar në QKUK për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 17:00, kemi pranuar një informatë se në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj ka ndodhur një rast therjeje me thikë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat dhe hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, ndërsa më pas janë angazhuar edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë. Nga hetimet fillestare është konstatuar se, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i lënduar një person, mashkull, rreth 23 vjeç. Viktima është dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas tij, për të gjitha veprimet e nevojshme policore është njoftuar prokurori i shtetit.


Go to TOP