Patologu Clarke e përfundon dëshminë në Hagë

Patologu i mjekësisë ligjore, John Clarke e ka përmbyllur dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka folur për një raport autopsie, teksa ka filluar dëshminë dëshmitari i prokurorisë, dr. Helmut Schreckenbauer .

Në seancën ndaj krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Jakup Krasniqit e pyeti dëshmitarin nëse e dinte se njëri nga patologët ishte dëshmitar në rastin ndaj Millosheviqit.

“Doktor Clarke, a e dini ju që Stadica Dorbricanin ka qenë dëshmitar i mbrojtjes për gjykimin e Millosheviqit në TPNJ dhe madje ka qenë dëshmitar fakti në mbrojtjen e Millosheviqit për masakrën e Reçakut që besoj se e njihni, a e dini ju këtë?”, pyeti Shyamala Alagendra, avokate e Jakup Krasniqit dëshmitarin.

“Jo, nuk e dija këtë”, u përgjigj dëshmitari.

Patologu shprehu shqetësim për gjendjen e disa viktimave për të cilat është bërë autopsi.

“A mund t’ju pyes sa i takon mungesës së plumbave, mungesa e plumbave është diçka që ju e keni konstatuar po ashtu në këtë pjesë të raportit dhe ju thoni që është mbresëlënëse apo është befasuese të shohësh që nuk ka të identifikuara prani të plumbave, duke marr parasysh numrin e plagëve nga të shtënat me armë në këtë trup, a është e drejtë të thuhet që shqetësimi juaj mbetet ende edhe tani?”, pyeti Ann Rowan, avokate e Kadri Veselit.

“Po, mendoj që komentet zbatohen për tërësinë e rasteve, të gjitha komentet e mia janë të vërteta për 5 rastet që i kemi diskutuar dhe shqetësimet kanë të bëjnë me mungesën e plumbave”, u përgjigj dëshmitari Clarke.

Pas tij, seanca vazhdoi me dëshmitarin e 116 të Prokurorisë, Dr. Helmut Schreckenbauer.

Përmbledhjen për të e lexoi prokurorja. “Dëshmitari ka qenë mjek i ushtrisë dhe ka qenë i pozicionuar në zonën e Prizrenit, ku ka qenë zona e MUP-it dhe ka trajtua disa persona të lënduar dhe personin që u gjet i vdekur në ndërtesën e MUP-it në Prizren më 1999”.

Prokurorja tha se dr. Schreckenbauer është mjek i ushtrisë gjermane, i cili ka qenë i dislokuar me KFOR-in në Kosovë nga qershori deri në gusht të 1999-ës dhe ka qenë i stacionuar në regjionin e Prizrenit. Ai ka qenë i pranishëm më 18 qershor 1999 kur KFOR-i bastisi ish-godinën e MUP-it në Prizren ku trajtoi disa nga personat e ndaluar atje dhe përgatiti raportin post-mortem për personin e vdekur që u gjend në ndërtesë.

Sipas kryetarit të trupi gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë më pak se gjysme dite.


Go to TOP